Juventusi dhe Real Madridi kanë luajtur baras (2-2) në ndeshjen e vlefshme për xhiron e katërt të fazës grupore të Ligës së Kampionëve. Edhe pse nuk pati fitues, nuk mungoi spektakli në përballjen e dy gjigantëve të futbollit evropian.
Lojtarët me fanellat bardhezi ishin dominues në çdo pjesë të fushës në fraksionin e parë duke e kontrolluar rrjedhën dhe tempin e lojës.
Bianconerët krijuan raste të shumta në gjysmën e parë, mirëpo nuk u treguan efikas në përfundimin e tyre. Në disa raste mbrojtja mysafire dhe Iker Casillas u treguan vendimtarë.
Megjithatë, angazhimi i futbollistëve vendas u shpagua me ndërhyrjen e gabuar të Varanes në dëm të Pogbas që u ndëshkua me penalti. Arturo Vidal realizoi për epërsinë e Zonjës (42’).
Sa u përket mysafirëve, faza ofensive ishte e heshtur gjatë fraksionit të parë, porse nuk munguan goditjet e Cristiano Ronaldo dhe Gareth Bale.
Vendasit e nisën tmerrësisht keq gjysmën e dytë me një gabim të Caceres, i cili ia mundësoi Benzemas ta rrëmbente topin dhe të pasonte te ai që nuk fal – Cristiano Ronaldo (52’).
Pak minuta më pas Xabi Alonso e tronditi stadiumin me një goditje të fuqishme që u përplas në shtyllë.
Përmbysja erdhi nga Gareth Bale. Pas një kundërsulmi të Los Blancos, uellsiani veproi mirë për ta shënuar golin e epërsisë për mysafirët (60’).
Megjithatë, bardhezinjtë u kthyen shumë shpejt duke e barazuar rezultatin përmes Fernando Llorentes, i cili shënoi falë krosimit të Martin Caceres (65’).
Në minutat në vazhdim ra tempi i lojës. Bianconerët përpiqeshin që të rrëmbenin pikë të plota, derisa Mbretërit prisnin për të ndëshkuar. Sidoqoftë, nuk u shënuan gola të tjerë.
Pas katër xhirosh, Real Madridi numëron 10 pikë, ndërsa për vendin e dytë luftojnë Galatasaray, Kopenhaga (me nga katër pikë) dhe Juventusi që ka tri pikë në fund të grupit.
No comments:
Post a Comment